Secondary Adv

Dyfisho biznesin tënd, Rama premton kredi dhe garanci për sipërmarrjet

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programin kombëtar për përgatitjen e bizneseve shqiptare për tregun e Bashkimit Evropian, njoftoi gjithashtu se në ditët e ardhshme do të hapet programi kombëtar “Dyfisho biznesin tënd”.


Kryeministri Rama tha se programi do të shoqërohet me një garanci sovrane dhe një portofol financimi për bizneset që synojnë të rrisin standardet dhe konkurrueshmërinë e tyre.


“Për t’u ardhur në ndihmë bizneseve në procesin e integrimit në tregun e Bashkimit Europian, kemi hartuar këtë program kombëtar, i cili do të mbështetet edhe nga ekspertiza e UNDP-së.


Organizata do të angazhojë ekspertë të mirëinformuar dhe të kualifikuar për të asistuar sipërmarrjen shqiptare gjatë këtij procesi.


Duhet të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen, sepse ajo është motori i zhvillimit ekonomik dhe social. Pa sipërmarrësin nuk ka zhvillim, por vetëm iluzione. Synimi ynë është që, në radhë të parë, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme të kenë mundësinë të zhvillohen, nëse kanë vizion, guxim dhe vullnet për të investuar në të ardhmen. Kjo mbështetje do të materializohet në ditët në vijim me nisjen e programit kombëtar “Dyfisho biznesin tënd”.


Programi do të mbështetet nga një garanci sovrane dhe një portofol financimi për të ndihmuar bizneset që duan të rrisin standardet, të përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe të përgatiten për sfidat që sjell integrimi në tregun europian.


Çdo sipërmarrës i vogël apo i mesëm që ka një projekt të mirë, por i mungon financimi, do të ketë mundësi të përfitojë kredi me interesa të ulëta përmes marrëveshjes me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë. Nëse do të nevojitet mbështetje shtesë, ajo do të ofrohet.


Nuk do të ketë asnjë sipërmarrje të vogël apo të mesme që paraqet një plan bindës biznesi dhe të mos mbështetet financiarisht. Përveç financimit, bizneset do të përfitojnë edhe asistencë për hartimin e planeve të biznesit. Një tjetër komponent i rëndësishëm i programit është fuqizimi i startup-eve. Pak ditë më parë qeveria dyfishoi fondet për startup-et dhe se thirrja e parë ka regjistruar rreth 100 aplikime,” tha Rama.


Për nisjen e programit për përgatitjen e biznesit drejt tregut të BE-së, kryeministri Rama tha se synon të informojë një për një rreth 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin.


“Gjithashtu, do të ndërtohet një rrjet bashkëpunimi mes biznesit, ekspertëve dhe institucioneve mbështetëse, ndërsa do të organizohen qindra trajnime për standardet e Bashkimit Evropian dhe rritjen e konkurrueshmërisë.


Në këtë proces do të përfshihen universitetet, komuniteti i biznesit dhe ekspertët, me qëllim rritjen e njohurive mbi detyrimet dhe mundësitë që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.


Është një sfidë e madhe që sjell mundësi të mëdha, por edhe rreziqe. Ne duam t’u paraprijmë këtyre rreziqeve dhe t’u krijojmë sa më shumë kompanive mundësinë për të dalë fituese në këtë proces.


Do të krijohet një faqe interneti e dedikuar për programin, ku sipërmarrjet do të mund të informohen në kohë reale, të parashtrojnë pyetje, ankesa dhe të marrin asistencë gjatë gjithë procesit të përgatitjes për tregun e Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat